Mirë se vini në kalendarin e shtatzënisë Premama Duo!
Kalendari i shtatzënisë Premama Duo ju ndihmon të zbuloni se sa larg jeni në shtatzëni dhe ju ofron informacione për ndryshimet që ndodhin në trupin tuaj, si dhe për zhvillimin e foshnjës tuaj për çdo fazë të shtatzënisë.
Zgjidhni një datë
Trupi juaj
Urime, jeni shtatzënë!
Në këtë periudhë shumë gra nuk ndihen e as nuk duken ndryshe, po kjo nuk duhet t’Ju shqetësojë. Nëse ndiheni ndryshe, do të thotë se jeni më e lodhur se zakonisht, madje e rraskapitur, si dhe mund të keni marramendje. Shumë gra shtatzëna kanë të përziera, ndonjëherë edhe të vjella. Këto simptoma me një emër quhen ‘’ të përzierat e mëngjesit’’, ndonëse mund të shfaqen në çdo orë të ditës apo natës, dhe, varësisht nga fati që keni, mund të zgjasin gjithë ditën. As kjo nuk duhet t’Ju shqetësojë. Të përzierat e mëngjesit janë shenjë e një shtatzënësie të shëndetshme, kurse pas javës së 13/14 ka gjasa të ndiheni më mirë.
Në këtë periudhë metabolizmi nis të përshpejtohet duke bërë që të shtoni peshë gradualisht. Gjinjtë tashmë i keni të ndjeshëm. Përveç kësaj, mund të keni kapsllëk ose nevojë për urinim të shpeshtë. Gjithsesi nuk duhet të kufizoni sasinë e ujit e as konsumimin e frutave dhe perimeve të freskëta.
Nëse deri tani nuk keni qenë te gjinekologu, tani është koha të lini takim për të konfirmuar shtatzënësinë dhe për të marrë informatat dhe këshillat e para.
Fëmija juaj
Në këtë periudhë të shtatzënësisë, deri në javën e 8-të, të gjitha organet e fëmijës Suaj duhet të jenë në vendin e duhur, ndonëse zhvillimi ka akoma shumë punë. Në fund të kësaj periudhe fëmija Juaj fillon të marrë pamjen tipike të fëmijës, me gjatësi përafërsisht 2,5 cm. Zemra e tij nis të rrahë me rreth 180 rrahje në minutë dhe mund të dëgjohet me ultrazë. Kjo do të thotë se tashmë trupi i vogël ka qarkullimin e vet.
Trupi Juaj
Nëse jeni një nga ato gra që kanë të përziera mëngjesi ose që ndihen të lodhura, lajmi i mirë është se tashmë këto simptoma duhet të tërhiqen. Deri në këtë periudhë mitra Juaj duhet të ketë arritur madhësinë e citronit. Mund të keni ndryshime të lëkurës së fytyrës Suaj, fjala vjen mund të keni ndryshime të tenit në formë të pikave të errëta që njihen me emrin melazma, të cilat pas shtatzënësisë tërhiqen. Me rritjen e gjinjve dhetë pjesës së poshtme të stomakut duhet të filloni të mendoni të bleni sutjena dhe veshje të përshtatshme.
Fëmija Juaj
Deri në fund të kësaj periudhe fëmija Juaj do të marrë pamjen e njeriut, ndonëse nga koka te prapanica është i gjatë vetëm 6 cm. Edhe pse nuk mund ta vini re, ai lëviz në mënyrë aktive në mitrën tuaj: mund t’i lëvizë duart, t’i përthyejë gishtat, në kohën që nisin t’i zhvillohen edhe organet gjenitale, ndonëse ato nuk shihen akoma me ultrazë.
Kontrolli me ultrazë në këtë periudhë do të konfirmojë rrahjet e zemrës së fëmijës Suaj.
Trupi Juaj
Me rritjen e stomakut Tuaj në këtë periudhë shtatzënësia juaj është e dukshme. Tashmë duhet të keni shtuar rreth 2,5 – 4,5 kilogramë dhe ka ardhur koha për rroba përkatëse. Meqë ka kaluar periudha e të përzierave dhe e lodhjes, është e rekomandueshme të bëni ushtrime të përshtatshme për shtatzënësinë Tuaj, se kjo do t’Ju ndihmojë të ruani formën dhe të bëheni gati për aktin e lindjes.
Fëmija Juaj
Kjo është periudha e rritjes intensive të fëmijës Suaj i cili në katër javët e fundit ka dyfishuar gjatësinë e tij dhe peshon rreth 130 g. Organet gjenitale tashmë janë formuar dhe gjinekologu Juaj duhet të jetë në gjendje të shohë nëse do të lindni vajzë apo djalë. Në këtë fazë fëmija Juaj thith gishtin e vet dhe, po patët fat, këtë me ultrazë mund ta shihni. Fëmija tashmë i ka shenjat digjitale të gishtërinjve.
Trupi Juaj
Ju përgëzojmë: tashmë keni bërë gjysmën e rrugës. Sigurisht keni vënë re se në këtë periudhë Ju janë rritur si stomaku, ashtu edhe ijet dhe prapanica. Kjo nuk është arsye të shqetësoheni meqë i gjithi është proces natyror me ç’rast trupi Juaj ndërton rezerva yndyrore të cilat do t’i përdorë më vonë kur të jepni gji. Në këtë periudhë mund t’Ju shfaqen vijat e shtatzënësisë ( striae) te gjinjtë dhe stomaku. Për të ruajtur butësinë dhe elasticitetin e lëkurës, mund të bëni masazh të lehtë të gjinjve dhe stomakut duke përdorur pomadë ose vaj. Rritja e fëmijës Suaj mund t’Ju shkaktojë aciditet, dhe kjo është shfaqje normale. Për këtë rekomandohet të hani racione të vogla, të shmangni alkoolin, ushqimin pikant dhe të gjitha ushqimet dhe pijet që Ju përkeqësojnë simptomat. Po të jetë e nevojshme mund të përdorni barna që janë të sigurta për përdorim gjatë shtatzënësisë, të rekomanduara nga mjeku ose farmacisti.
Fëmija Juaj
Tani fëmijës Suaj i zhvillohen shqisat, prandaj ai mund të dëgjojë zhurma nëpërmjet mitrës. Ndonëse është akoma i vockël, mund t’i ndieni lëvizjet e tij. Te koka ka pak flokë, kurse të qiellza formohen dhëmbët e parë. Sistemi nervor zhvillohet me shpejtësi dhe me zhvillimin e muskujve fëmija merr kontrolllin mbi lëvizjet e veta. Fëmija Juaj nga koka te prapanica është i gjatë rreth 15 cm dhe peshon rreth 270 g. Deri në javën e 20-të lëkura e fëmijës Suaj është e mbuluar me një substancë të bardhë të quajtur verniks, e cila mbron lëkurën ngaqë qëndron gjatë kohë në lëngun amniotik.
Trupi Juaj
Me rritjen e stomakut Tuaj shtatzënësia është e dukshme për të tjerët. Në këtë periudhë mitra nis të bëjë ushtrime në formë të kontraksioneve, të njohura me emrin Brekston-Hiks, që e ndihmojnë atë të bëhet gati për aktin e lindjes. Ato manifestohen në formë të shtrëngimeve të përkohsme të stomakut që zgjasin disa sekonda. Gjinjtë Tuaj mund të bëhen të ndjeshëm, e gjithë kjo si pasojë e ndryshimeve hormonale, duke i bërë gati për dhënien gji. Herë-herë mund të rrjedhë kulloshtër, që është shfaqje normale.
Fëmija Juaj
Deri në fund të kësaj periudhe fëmija Juaj është rritur 20 cm nga koka të prapanica dhe peshon më shumë se 600 g. Në fund të javës së 24-të sytë e fëmijës Suaj do të hapen për herë të parë. Linjat e fytyrës së tij janë formuar dhe tani ai ka marrë pamjen që do të ketë pas lindjes. Ritmi i zemrës së tij ngadalësohet deri në 140 – 150 rrahje në minutë. Në këtë periudhë fëmija është mbuluar me qime të buta të njohura me emrin lanugo. Mendohet se lanugoja ndihmon për mbajtjen e temperaturës së trupit. Zakonisht ajo bie pas lindjes, ndonëse qime të pakta mund të mbeten edhe pas lindjes, e më pas të bien edhe ato. Tashmë fëmija Juaj ka ciklet e gjumit dhe zgjimit të cila mund t’i vini re edhe Ju, ndonëse nuk është e thënë të përputhen me ritmin Tuaj. Fëmija Juaj merr oksigjen nga placenta gjatë gjithë shtatzënësisë. Në këtë periudhë mushkërite e tij nuk janë në gjendje të punojnë si duhet, megjithatë fëmija Juaj bën ushtrime për frymëmarrje që të përgatitet për jetën jashtë mitrës. Në javën e 24-të nëse lind, fëmija ka shanse të mbijetojë, po me shumë gjasa të ketë pengesa në zhvillim.
Trupi Juaj
Barku dhe gjinjtë janë rritur duke shtruar nevojën të përshtatni lëvizjet me ‘’përmasat’’ Tuaja të reja. Mund të keni shtypje ose ngërçe të këmbëve ose të ënjteni te këmbët ose duart, zakonisht në orët e pasditës. Kjo është normale dhe vjen si pasojë e mbajtjes së lëngjeve të trupit. Me rritjen e vet fëmija zë vend në hapësirën e stomakut Tuaj. Nëse nuk keni pasur deri tani shenja të keqtretjes ose acideve, ka gjasa të keni tani, dhe kjo është normale. Është mirë të hani racione të vogla dhe të shmangni ushqimet që Ju bëjnë keq. Nëse këto simptoma nuk tërhiqen ose Ju shkaktojnë parehati, konsultohuni me mjekun Tuaj ose me farmacistin për të marrë ilaçe. Mund të ndodhë që herëpashere të keni zënie fryme të shkaktuar nga shtypja e mitrës mbi diafragmën që ndodhet nën mushkëri.
Fëmija Juaj
Deri në fund të kësaj periudhe fëmija Juaj peshon 1 kg. Ai është akoma në gjendje të ndërrojë pozitë brenda në mitër dhe në këtë fazë është më aktiv. Ai reagon ndaj prekjes dhe zërit, kurse zhurma të mëdha mund ta bëjnë të kërcejë dhe të shqelmojë. Ai bën rregullisht urinën në lëngun amniotik. Në këtë periudhë fëmija zmadhon intensivisht formimin e shtresave të yndyrës, kurse mushkëritë zhvillohen shpejt për t’u bërë gati për frymëmarrje pas lindjes.
Trupi Juaj
Tani po hyni në tremujorin e fundit të shtatzënësisë. Tani më do të ndiheni prapë e lodhur nga ngarkesa e tepërt e trupit Tuaj dhe nevojat e fëmijës Suaj që rritet. Mundohuni të pushoni sa të mundni dhe të ngrini këmbët lart. Nyjat e komblikut nisin të zgjerohen gradualisht duke u bërë gati për aktin e lindjes. Shmangni lëvizjet e befta që të mos dëmtoni komblikun. Zmadhimi i shtypjes mbi fshikëzën e urinës rrit nevojën për zbrazjen e saj të shpeshtë, madje edhe gjatë natës. Nëse keni vështirësë për t’u zënë gjumi, provoni të flini në anën që flini zakonisht kurse mes këmbëve vërni një jastëk që të ndiheni më rehat.
Fëmija Juaj
Në fund të kësaj periudhe pesha e fëmijës është pothuajse 2 kg kurse gjatësia nga koka te prapanica është 30 cm. Tashmë ai ka më pak hapësirë të lëvizë, prandaj pjesën më të madhe të kohës i mban këmbkat mbështetur për krahërorit. Nëse e ka kokën kthyer poshtë, në atë pozitë do të rrijë derisa të lindë. Nëse jo, ka akoma kohë të kthehet. Syçkat i ka të zhvilluara aq sa të dallojë dritën nga errësira. Krijimi i shtresave yndyrore bën që lëkura e tij të jetë sa më pak e rrudhur dhe me e lëmuar. Verniksi dhe lanugoja nisin të zhduken. Në këtë periudhë mushkërite zhvillohen intensivisht duke u mbushur me substanca sipërfaqësisht aktive, të cilat janë shumë të rëndësishme për frymëmarrjen më vonë.
Trupi Juaj
Tani hyni në javët e fundit të shtatzënësisë Suaj. Barku Juaj është rritur shumë dhe ndikon mbi aktivitetet Tuaja trupore. Mund të keni dhimbje në shpinë ose në pjesën e poshtme të barkut, këmbët dhe duart t’i keni të fryra, sidomos në orët e darkës. Kontraksionet Brekston-Hiks janë gjithnjë e më të dukshme ngaqë mitra po bëhet gati për aktin e lindjes. Nëse këto kontraksione janë të dhimbshme ose të shpeshta, duhet të konsultoheni me mjekun Tuaj. Fëmija Juaj do të zbresë poshtë në komblik duke u bërë gati për lindjen, me ç’rast do të zbuten simptomat e aciditetit dhe vështirësitë e frymëmarrjes po t’i keni pasur ato. Në këtë periudhë shumë nga shtatzënat ndiejnë nevojën të ‘’pastrojnë’’ shtëpinë, megjithatë kini kujdes mos e teproni.
Fëmija Juaj
Tashmë fëmija Juaj krijon rezerva në formë të shtresave yndyrore dhe po e rrit dukshëm peshën, pothuajse 140 g në javë. Sistemi nervor qendror po zhvillohet akoma kurse reflekset e tij dita-ditës bëhen më të mira. Eshtrat forcohen, ndonëse ato të kafkës mbeten të buta dhe të ndara deri në lindje, ashtu që të lehtësojnë kalimin e fëmijës nëpër kanal duke mbrojtur njëkohësisht trurin. Deri në fund të javës së 36-të fëmija Juaj nga koka te prapanica do të jetë i gjatë 32 cm dhe do të peshojë 2,5 kg. Lëkura e tij është e butë dhe e lëmuar, ka thonj, madje edhe deri në 5 cm flokë në kokë. Nëse fëmija lind në javën e 36-të mushkëritë bëhen gati për frymëmarrje ndërsa sistemi tretës është në gjendje të përpunojë qumështin e nënës.
Trupi Juaj
Me afrimin e datës së lindjes barku Juaj rritet shumë dhe peshon po ashtu shumë. Është shumë e rëndësishme të pushoni sa më shumë që mundni. Duhet të bëni rregullisht ushtrime për muskujt e komblikut ngaqë fëmija po Jua shtyp fshikëzën e urinës. Ka gjasa që një herë në javë të vizitoni gjinekologun, madje më shpesh po të ketë nevojë. Rritja e peshës Suaj tashmë duhet të jetë ndalur. Ndonëse shtatzënësia llogaritet se zgjat deri në 40 javë, thuhet se fëmija ka lindur në kohë nëse lind mes javës 38 dhe 42.
Fëmija Juaj
Pesha normale e fëmijës Suaj merret mes 2,5 kg dhe 4 kg. Mushkërite dhe sistemi nervor, të cilët zhvillohen më ngadalë se organet e tjera, duhet të jenë plotësisht funksionale deri në fund të shtatzënësisë. Fëmija Juaj lëviz sytë dhe ka ritëm zgjimi dhe gjumi. Meqë tani është më i madh, lëvizjet janë të kufizuara, janë më pak intensive kurse në mitrën Tuaj ka më pak lëng amniotik. Në orët e fundit të shtatzënësisë lëngu amniotik merr ngjyrë qumështi të tejdukshme. Në sistemin tretës të fëmijës ndodhet një substancë e gjelbër e njohur me emrin mekonium. Ai do të jetë jashtëqitja e parë e fëmijës pas lindjes. Lanugoja tashmë duhet të jetë zhdukur, ndonëse disa fëmijë lindin me tufa të vogla lanugoje.
Në këtë fazë fëmija Juaj është gati të lindë. Shumë shpejt do ndieni gëzimin që do të njihni njëri-tjetrin. Paçi fat!